• August

    8

    2018
  • 1711
  • 0
NE KUJTIM TE MINATOREVE TE RUBIKUT

NE KUJTIM TE MINATOREVE TE RUBIKUT

Në çdo 8 Gusht transmetohet filmi artistik “Guri i Besës”, realizuar në Rubik dhe që i kushtohet grevës së minatorëve të kësaj treve me besë e burrëri. Ajo bërthamë punëtorie e galerive të Rubikut, në fillim prej më pak se 100 persona, mund të konsiderohet si fidanishtja e parë e klasës punëtore në Shqipëri, bashkë me minatorët e Selenicës dhe naftëtarët nismëtarë të Kuçovës.

Pak histori…

Në vitet 30 të shekullit XX në Rubik u kryen kërkime dhe studime gjeologjike nga studiues e shkencëtarë të huaj, në kërkim të gurëve të çmuar të mineralit, aty ku sot është miniera, në Velë, Erëz dhe Kulme. Pasi u zbuluan rezervat e mineralit të bakrit, më 30 Mars 1938, qeveria e Zogut i dha të drejtën për shfrytëzimin e minierës së re shoqatës italiane “SIMSA” me kapitalist Pridi Dalfini, ku u mor një sipërfaqe prej 17 Ha tokë me koncesion për një periudhë prej 99 vitesh. Kjo shoqëri, nisi punimet menjëherë në Rubik e Kulme me sipërmarrës vendas dhe Italian. Shfrytëzimi i minierës bëhej me shumë vështirësi, sepse në galeritë dhe puset e thella kishte shumë ujë, madje kishte shembje të fronteve të punës, nuk kishte mekanizime por shfrytëzohej krahu i lirë i punës. Të gjitha proceset e punës kryheshin me forcën e krahut të minatorëve, drejtuesit e ndërmarrjes nuk jepnin asnjë zgjidhje. Pikërisht për këtë gjendje të rëndë pakënaqësitë e minatorëve rriteshin çdo ditë. Ata paguheshin 5 lekë në ditë për 13 orë pune. Mensa funksiononte vetëm për të huajt. Për të fjetur minatorët shtronin në vend të dyshekut dushk dhe një pjesë e mirë e tyre flinin poshtë këmbëve të urës mbi lumen Fanë. Për kuajt e tyre, italianët kishin ndërtuar stalla dhe u shërbehej atyre më mirë se minatorëve. Nga ky shfrytëzim i jashtëzakonshëm po rritej ndërgjegjësimi i minatorëve për të luftuar me çdo mjet për të fituar të drejtat e tyre për sigurimin e bukës dhe jetesës për familjet e tyre. Në këto kushte, minatorët filluan të organizoheshin duke ngritur këshillat punëtore, me një fshehtësi të madhe sipas brigadave dhe sektorëve, në mënyrë që të mos binin në sy të padronëve pasi ata nuk lejonin grumbullime të tyre. Duke parë kushtet, revolta u rrit kaq shumë sa që minatorët vendosën të nisin grevën. Italianët morën masa ekstreme duke i gjobitur e larguar nga puna minatorët, por me këto veprime ato e rritën pakënaqësinë dhe urrejtjen e punëtorëve shqiptarë ndaj padronëve italianë.

Me 7 Gusht 1938 në mbrëmje minatorët Mark Preng Mark Zefi, Nikoll Bardhok Bajraktari, Ndue Llesh Ndoka, Llesh Mark Ndoj, Ndrec Ndue Lleshi, Nikoll Preng Nikolli dhe Gjergj Marena u takuan me minatorët dhe iniciuan grevën. Punëtorët zbritën nga Kulmja ranë në Rubik, pasi të nesërmen me 8 Gusht 1938 u vendos që të fillonte greva. Grupit nismëtar iu bashkuan edhe Ndue Geg Përlala, Gjin Mark Lleshi (Doda), Mark Preng Buba dhe Pjetër Preng Biba nga Lugjet. Me 8 Gusht në mëngjes minatorët bllokuan zyrat e drejtorisë së ndërmarrjes, pasi atë ditë ishin pjesa më e madhe kuadrove drejtuese sepse ishte dita e pagave të punëtorëve. Drejtuesit italianë u befasuan nga një organizim i tillë i të gjithë minatorëve, ndaj dhe deshën të largoheshin, por minatorët nuk i lejuan pa marrë në konsideratë kërkesat e tyre e për t’i dërguar ato në Tiranë. Presioni i minatorëve i detyroi sipërmarrësit të merrnin në konsideratë, kërkesat të cilat ishin:

1. Ulje e kohës së punës ditore nga 13 në 10 orë në ditë.
2. Rritje e pagës nga 5 në 6 lekë në ditë.
3. Plotësim i kushteve të punës dhe jetesës.
4. Të drejtën e pushimit javor e mujor dhe e festive fetare.
5. Garantimin për punë të pandërprerë të punëtorëve.
Gjendja që u krijua tronditi jo vetëm sipërmarrësit italianë por ajo befasoi dhe qeverinë e Ahmet Zogut, pasi kërkesat e minatorëve ishin të prera. Rol të rëndësishëm në këtë lëvizje luajtën këshillat punëtore që për atë kohë ishin kryesitë sindikalistë të Shqipërisë. Minatorët kishin kërkuar me forcë, se nëse përgjigja e ardhur nga lart, nuk do t’ua zgjidhte problemet e ngritura, puna nuk do të fillonte ne minierë. Të detyruar nga kjo gjendje, Prefektura e Shkodrës i bën telegram Ministrit të Punëve të Brendshme me nr. 486, ora 1930, të po asaj dite ku thoshte se:”Nënprefektura e Lezhës na njofton se 400 punëtore të Rubikut dhe Kulme-Dervenit janë hedhur në grevë”. Në përgjigjen e dërguar menjëherë komandantit të Lezhës, me 20 xhandarë për të ndaluar grevën; përgjigje që nuk bëri efekt pasi minatorët kishin lidhur besën.
Ata vunë në lëvizje edhe priftin e Rubikut, Padër Ceril Cani, i cili thirri Mark Ndue Gegën, që ishte në drejtim të kësaj lëvizje duke e këshilluar se keni bërë mëkat që keni lënë punën dhe duhet të vini e të rrëfeheni sa më parë. Por Mark Ndue Gega iu përgjigj se: “Nuk kemi bërë asnjë mëkat që të vijmë dhe të rrëfehemi. I kemi dhënë besën njëri-tjetrit 400 burra dhe Zoti thotë që besa e dhanme nuk kthehet. Me nis ju zotni me rrëfy 400 burra do të duhen nja dy-tre muaj, e nuk do të kesh kohë me bo punë tjetër kishtare. Prandaj ju lutem mos u merrni me punë të tjerëve, por merru me punën tënde fetare. Ne do te ndreqim disa nga problemet tona ose do të vdesim. Ju duhet të ndihmoni, jo të frenoni rrugën që kemi nisur”, i tha Mark Ndue Gega Priftit të Rubikut.
Greva, jo vetëm që nuk u ndalua, por vazhdoi për 4 ditë rresht. Si shenjë revolte, minatorët hodhën makinën e drejtorit në urën e Rubikut, pasi nga ana e tij nuk erdhi asnjë përgjigje për kërkesat e tyre. Më në fund nga ngjarjet që po ndodhnin, pronarët u detyruan të fillonin t’u jepnin zgjidhje kërkesave të punëtore. Më 12 Gusht 1938, greva e minatorëve u mbyll. Megjithëse mjetet e komunikimit në atë kohë ishin të pakta, jehona e kësaj greve u dëgjuan në mbarë vendin.
Për këtë ngjarje erdhën përshëndetje nga naftëtarët e Kuçovës, minatorët e Selenicës dhe Mborje-Drenovës të Korçës. “Guri i Besës”, dorë më dorë hyri në histori. Një gur bese në trevën e mirënjohur të besës).

LEAVE A COMMENT

You comment will be published within 24 hours.

Cancel reply